HOME — May 6, 2019 at 12:29 pm

Ngjarja tragjike në Letoni/ Çfarë la pas ushtarakja Zarife Hasanaj, miqtë shpërthejnë në lot 

by

Shpërthimi i një mine i mori jetën efektives së Forcave të Armatosura Zarife Hasanaj si dhe plagosi rëndë dy ushtarakë të tjerë, ditën e sotme në Letoni.

Familja Hasanaj, e cila jeton në zonën e Babrrusë në kryeqytet ka hapur dyert e mortit. Ushtarakja 30 vjeçare nuk ishte e martuar, ajo la pas prindërit dy motrat dhe vëllain.

Ndërkaq, në profilin e saj në rrjetet sociale miqtë dhe të afërmit kanë shprehur dhimbjen e madhe për ngjarjen e rëndë, teksa lajmi u duket i pabesueshëm.

Prej muajsh Zarife Hasanaj ndodhej në Letoni, në kuadër të një misioni të NATO-s për çmontimin e minave,

Në një video të publikuar një muaj më parë nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me rastin e kremtimit të 10-vjetorit të Shqipërisë në NATO, efektivja Hasanaj shprehej se ishte hera e parë për të që merrte pjesë në një mision jashtë vendit. Mirëpo, ky mision do të ishte fatal për ushtaraken.

Ndërkaq, kujtojmë se gjatë shpërthimit të minës kanë mbetur të plagosur edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Këta të fundit janë duke marrë trajtim mjekësor.