Vajzat e mbuluara në shkolla, së shpejti merret vendimi

Vajzat e mbuluara në shkolla, së shpejti merret vendimi

Këtë javë është afati për regjistrimin e nxënësve në shkolla të mesme në Kosovë. Por, edhe këtë vit, vajzat e komunitetit mysliman që bartin shami, po diskriminohen. Të njëjtave po u mohohet e drejta për të vijuar mësimin, ndonëse respektimi i të drejtave dhe lirive duhet të jetë jo selektiv.

I shqetësuar nga kjo padrejtësi që po u bëhet këtyre nxënëseve, është edhe imami nga Prishtina, Labinot Maliqi. Ai për IndeksOnline ka thënë se në lidhje me këtë e kishte dërguar një kërkesë në adresë të ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, e të njëjtën e ka nisur edhe tek ministri aktual, Ramë Likaj.

“Po shpresoj që gjatë javës tjetër do ta kemi një përgjigje. Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe Ambasada e Amerikës dhe Avokati i Popullit. Në këtë kërkesë janë përpilu të gjitha ligjet që i parasheh Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe rregulloren e Ministrisë së Arsimit që e garanton praktikimin e besimit në shkolla.

Ky është më shumë problem politik, jo juridik dhe një e padrejtë që na është bërë më shumë se një dekadë. Dhe me fol ende për këtë temë është turp i madh përderisa kemi shumë probleme të tjera psiqike, ekonomike e sociale. Vajzat me gjithë shqetësimet e tjera, e kanë edhe atë se a pranohen në shkolla veçse e ka shaminë, një e drejtë elementare që i garantohet me Kushtetutë”.

Imami kosovar tha se s’është hera e parë që mirret më këtë çështje. Ku iu është dashur të intervenojnë edhe tek drejtorët e shkollave.

“Ne është dashur t’i kontaktojmë drejtorët që t’ia u qartësojmë atyre gabueshmërinë që e ka ky udhëzim dhe padrejtësinë dhe që njëkohësisht bien ndesh me vet Kushtetutën, që shpresoj shumë që do të përfundojë para një shtatorit, që ka mu largu kjo ndalesë.

Kam pas takim me Ministrin e Arsimit dhe sot jam takuar me një Zëvendësministër të Arsimit dhe është duke u punuar në këtë drejtim, ka shenja të mira që do të largohet ky udhëzim, për shkak të kërkesës që kemi bërë dhe mbështetjes së Ambasadës së Amerikës dhe njëkohësisht edhe Zyra e Avokatit të Popullit që na mbështet publikisht. Gjasat janë që nga fillimi apo mesi i javës së ardhshme të marrim një përgjigje përfundimtare dhe zyrtare”.

Që mbulesa islame në shkolla mund të ndalohet vetëm me ligj, e thotë edhe avokati kosovar, Arianit Koci. Ai ka bërë një reagim në rrjetin social Facebook duke thënë se është kontaktuar nga nxënëse që mbajnë shami, të cilave u është refuzuar regjistrimi në shkolla.

“Zbatimi i dispozitës së Udhëzimit Administrativ të MASHT-it, që ka për qellim ndalimin e mbajtjes së shamisë së kokës në shkollë, përvec që nuk gjenë mbështetje në asnjë ligj dhe as në Kushtetutën tonë, shtron pyetjen e supremacisë kushtetuese në këtë vend. A thua qenka më e fuqishmë një dispozitë e aktit nënligjor se sa vet Kushtetuta jonë?!

Mënyra e veshjes është zgjedhje e lirë e secilit. Mënyra e veshjes mbrohet edhe me Lirinë e Shprehjes, sepse me veshje, përvec përkatësisë fetare, ne mund të shprehim shpirtin artistik, karakterin dhe preferencat tona si individë.

Prandaj, t’i lëmë anash teket ditore, e të anojmë kah respektimi i të drejtave, barazia dhe sundimi i ligjit. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shtet funksional e demokratik.

Diversiteti është vlerë e një shoqërie demokratike”, ka shkruar ndër të tjera Koci.

E, mjaftë e ashpër në një shkrim të sajën ishte edhe deputetja e vetme me mbulesë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Besa Ismaili.

Ajo ka thënë se thirrja kundër institucionalizmit fetar, për të ruajtur parimin sekular të shtetit po shtrembërohet me qëllim për të mohuar lirinë individuale fetare.

“Respektimi i të drejtave dhe lirive nuk guxon assesi të jetë selektiv gjatë ushtrimit të ligjit. Aq më hiq kur kemi të bëjmë me vajza. Mohimi kategorik i tyre me veprime përjashtuese, përmban ngjyrim fashizmi.

Si anëtare e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, që nga mëngjesi i sotmë, jam duke u angazhuar maksimalisht, (ashtu siç kam bërë prore për më shumë se dy dekada tanimë, edhe në rastet e mëhershme) për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e mia, për të asgjësuar tendenca për veprime dhe vendime të tilla, të kundërligjshme dhe diskriminuese.

Ksenofobia nuk i duhet shoqërisë kosovare”, përfundon deputetja nga radhët e PDK-së.

IndeksOnline ka provuar të kontaktojë edhe Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, por që i njëjti s’është përgjigjur./Indeksonline

Leave a Reply